Secondary Adv

Qeveria miraton marrëveshjen e pensioneve me Poloninë

Shqipëria zgjeron marrëveshjet për sigurimet shoqërore dhe avancon harmonizimin e legjislacionit financiar me BE-në.

Qeveria ka miratuar në parim marrëveshjen për sigurimet shoqërore me Poloninë, si dhe një paketë ndryshimesh ligjore që prekin sistemin financiar në vend. Vendimet u miratuan gjatë mbledhjes së qeverisë, me synimin për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve që kanë punuar në të dyja shtetet dhe për të afruar më tej legjislacionin shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian.


Marrëveshja për sigurimet shoqërore me Poloninë

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se është miratuar në parim marrëveshja për sigurimet shoqërore me Poloninë. Sipas saj, me këtë marrëveshje numri i marrëveshjeve të nënshkruara nga Republika e Shqipërisë arrin në 17. Ajo shtoi se, së bashku me marrëveshjen që pritet të firmoset me Slloveninë, 11 prej tyre janë me vende të Bashkimit Evropian.


“Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit kaloi një projektvendim, është miratimi në parim i marrëveshjes për sigurimet shoqërore me Poloninë. E çon numrin e marrëveshjeve të nënshkruara nga Republika e Shqipërisë në 17, ku bashkë me marrëveshjen që po firmosim me Slloveninë, janë 11 marrëveshje të cilat janë firmosur me vende të BE. Dua të kujtoj që është një politikë që ka filluar dhe intensifikuar nga ana e qeverisë shqiptare, pasi është thelbësore në mbrojtjen e të drejtave të punës”, u shpreh Ibrahimaj.


Ndryshime në ligjet financiare

Qeveria miratoi gjithashtu ndryshime në tre ligje që rregullojnë sistemin financiar në Shqipëri. Ndërhyrjet prekin ligjin për sistemin e pagesave, ligjin për shërbimet e pagesave dhe ligjin për bankat në Republikën e Shqipërisë.


Ministri i Financave, Petrit Malaj, tha se ndryshimet synojnë modernizimin e sistemit financiar dhe harmonizimin e plotë të kuadrit ligjor shqiptar me direktivat e Bashkimit Evropian. “Kemi propozuar disa ndryshime në tre ligje të cilat lidhen me sistemin financiar në Shqipëri. Konkretisht kemi propozuar ndryshime për ligjin e sistemit të pagesave, për ligjin e shërbimeve të pagesave si dhe disa ndryshime në ligjin për bankat në Republikën e Shqipërisë. Kanë si qëllim jo vetëm modernizimin e sistemit aktual financiar në Shqipëri, por janë edhe në funksion të përafrimit të gjithë kuadrit tonë ligjor dhe harmonizimit të plotë të tij me direktivat e BE”, deklaroi Malaj.


Burimi: Scan


Më të lexuarat